Bashkia e Tiranës dhe UKT ka nisur zbatimin e një tjetër projekti të rëndësishëm, i cili synon zëvendësimin e të gjithë tubacionit të vjetëruar me qëllim shmangien e humbjeve të ujit në rrjet, si dhe furnizimin e qytetarëve me një cilësi dhe standard më të mirë. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërhyrja në zëvendësimin e gjithë tubacionit kryesor nga rruga “Todi Shkurti” deri te Pedonalja para selisë së Parlamentit, segment ky që ka shfaqur gjithmonë problematikë në rrjedhjen e ujit në rrugë. Punimet kanë vijuar edhe në orët e vona të natës për të garantuar përfundimin e tyre sa më shpejt, në mënyrë që të evitohen pengesat e ndryshme për trafikun dhe furnizimin e qytetarëve me ujë.
Punimet u ndoqën edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputeti i PS, Besnik Bare dhe drejtori i UKT-së, Redi Molla. Pasi u njoh me detajet e projektit dhe punën që po realizohet, Veliaj theksoi angazhimin e përditshëm të bashkisë për të bërë investime që sjellin përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të jetesës, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të shkaktohen gjatë realizimit të punimeve.
“1 vit më parëpremtuam një bashki që punon me 3 turne. E di që sa herë që ndërtohet diçka, sa herë që bëhet një investim, sigurisht ka impakt në trafik, në mënyrën se si bëhet qarkullimi në qytet. Por, edhe sa herë që rregullojmë shtëpinë, dhomën e ndenjes apo dhomën e gjumit, shtëpia paralizohet ato ditë që ka punime në shtëpi. Tirana është shtëpia jonë e madhe, që do të thotë se sa herë që ka punime kërkohet mirëkuptim.Ajo që premtojmë dhe që po angazhohemi edhe tani në mes të natës, është që do të punojmë me 3 turne, që punët të mbarojnë sa më shpejt, por nuk mund të kërkojmë një Tiranë moderne nëse nuk i bëjmë këto investime”, tha Veliaj.
Ai theksoi se punimet për kanalizimet në segmentin që nis nga Xhamia e Tabakëve deri në rrugën para Parlamentit pritet të përfundojnë brenda 12 ditëve. “Kemi zgjedhur edhe këtë aks që përshkon mes për mes Tiranën, duke filluar nga Xhamia e Tabakëve, rruga e Shkollës së Baletit, kryqëzohet me Lanën dhe pastaj vazhdon në rrugën e Parlamentit. Edhe në Parlament shkohej me çizme vetëm prej ujit, që tre herë në ditë mbushte gjithë territorin. Po i bëjmë të gjitha këto punime me 3 turne. Në 6 ditë kemi bërë thuajse gjysmën e punës, 6 ditë të tjera për të mbaruar”,deklaroi kreu i Bashkisë. Veliaj pohoi se me të njëjtin ritëm do të punohet për çdo punë në kryeqytet, ndërsa theksoi se gjatë këtij viti do të ketë shumë kantiere të hapura njëherësh në mënyrë që nesër të kemi një Tiranë më moderne.
“Me të njëjtin ritëm do të punojmë në Bulevardin e ri, po ashtu te sheshi “Skënderbej”. Vërtet ky do të jetë një vit ku Tirana do të hapet totalisht, por për t’u siguruar që punimet bëhen njëherë e mirë dhe qyteti jo vetëm që ka furnizim më të mirë me ujë të pijshëm, jo vetëm që ka infrastrukturë moderne, por është një qytet që gjithmonë e më shumë u kthehet njerëzve. Tirana nuk njihte më përpara punën, jo më të njihte punën me tre turne. Qyteti me 1 milion banorë ka nevojë për një bashki që të paktën është 3 turne në krye të detyrës”, theksoi Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se gjatë vitit të dytë të këtij mandati fokusi do të vijojë me zonat rurale dhe akset kryesore në qytet.
“Ky vit i dytë do të ketë një fokus më të madh në zonat rurale, në disa nga akset kryesore. Ai për shembull që lidh rrugën nacionale Tiranë – Elbasan me njësinë tonë në Krrabë, me disa fshatra të njësisë në Pezë, me disa fshatra të njësisë tonë në Ndroq, në Kashar, në Zall-Herr edhe në Zallbastar. Besoj se do t’u tregojmë se si me të njëjtin zell që mbaruan çerdhet, kopshtet, ashtu do të vazhdojnë shkollat, ashtu do të punohet në qendër, ashtu do të punohet edhe në periferi”,deklaroi Veliaj. Kryetari i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të krijohen nga punimet në segmente të ndryshme rrugore.
Deputeti Besnik Bare vlerësoi angazhimin e Bashkisë së Tiranës për të zgjidhur çdo problematikë në qytet. “Kishte gati 5 vjet që kur vinim në Parlament në fakt, parashikonim të vinim me çizme sepse thonim me vete që kur ndodh kjo para Parlamentit, ç’mund të ndodhë në periferi? Mirëpo falë kontributit dhe angazhimit të Bashkisë, ju e shikoni që Bashkia punon 24 orë, ky problem u zgjidh, dhe vërtet jemi të bindur se probleme të tilla të ngjashme do të zgjidhen gradualisht. Unë do t’i thosha përgëzime bashkisë për punën që po bën”, tha ai.
Për të shmangur krejtësisht humbjet e herëpashershme, UKT po kryen rikonstruksionin e plotë të tubacioneve të vjetra nga rruga Todi Shkurti deri te Pedonalja. Në total do të shtrohen rreth 1500 metër linear tubacion linjë kryesor dhe gati 350 metër linear rrjet shpërndarje, në një sipërfaqe prej 150 ha. Falë këtij investimi, banorët që jetojnë në qendër të Tiranës, zona që kufizohet nga Bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Muhamet Gjollesha” dhe Rruga e “Durrësit” do të përfitojnë një shërbim të përmirësuar të furnizimit me ujë të pijshëm. Gjithashtu rikonstruksioni i rrjetit do të rrisë edhe presionin e furnizimit me ujë për gjithë zonën që preket nga rrugët e mësipërme.
Burimi: UKT